Përshkrimi

Programi “Roadmap to Silicon Valley” është një nismë e TechSpace dhe Junior Achievement of Albania, në partneritet me PROTIK dhe mbështetjen e Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF). Një mundësi unike për të gjithë startup-et dhe të rinjtë e apasionuar pas Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit, për t’u përfshirë në një eksperiencë të re, e cila do të çelë portën drejt suksesit për ta.
Ky program u mendua si një program mbështetës dhe këshillimor për startup-et, që do të kulmojë me mundësinë për të udhëtuar drejt Silicon Valley-t, ekosistemi më i zhvilluar në botë në fushën e sipërmarrjes dhe inovacionit teknologjik!

✓ Faza 1 – Përzgjedhja e 25 Startup-eve më të mirë

Në muajin dhjetor 2019 u hap thirrja për aplikim në programin “Roadmap to Silicon Valley”. Aplikimet u kryen online në faqen www.techspace.al dhe thirrja qëndroi e hapur për 2 muaj. Komisioni i vlerësimit, i përbërë nga AKSHI dhe ekspertë të jashtëm, përfaqësues të AADF-së dhe JAA-së, vlerësoi 68 Startup-et që u bënë pjesë e programit, mbështetur në kriteret e specifikuara. Në fund të procesit të vlerësimit, 25 StartUp-et që u gjykuan se kishim më tepër potencial për sukses në të ardhmen, u përzgjodhen gjatë muajit mars 2020, per të vijuar në fazën II-të të programit.

✓ Faza 2 - Programi i Inkubimit

25 Startup-et e përzgjedhura vazhduan rrugëtimin e tyre me një seri trajnimesh nëpërmjet një programi intensiv workshop-esh, në lidhje me zhvillimin e ideve inovative. Trajnuesit u përzgjodhën ekspertët më të mirë ndërkombëtarë me eksperienca të suksesshme në botën e biznesit dhe sipërmarrjeve të reja. Për shkak të pandemisë së COVID-19, e cila preku edhe Shqipërinë, Programi i Inkubimi është zhvilluar online, në zbatim të rregullave anti-COVID të përcaktuara nga Komiteti i Ekspertëve në vend. Ky proces adoptoi kurrikula të njohura për inkubimin/akselerimin e Startup-eve. Programi zgjati disa muaj, teksa u përfshinë: Mbikëqyrje dhe mentorim; Trajnime të vazhdueshme; Konsulence specifike për nevojat e Startup-eve. Në fund të kësaj faze, vetëm 12 Startup-e treguan interes edhe u aktivizuan në të gjitha trajnimet dhe mentorimet e ofruara. Kjo iu dha atyre mundësinë për të vijuar në fazat e tjera të programit “Roadmap to Silicon Valley”.

 • Korrik

Përgjatë muajit korrik u zhvilluan intervista me Startup-et pjesëmarrëse në program, nga përfaqësues të AKSHI-t dhe JAA-së, me qëllim identifikimin e nevojave të tyre për trajnime të mëtejshme dhe mentorim. Më vonë gjatë muajit, u zhvillua Workshop-i nga eksperti ndërkombëtar Peter Bruner mbi prezantimin e idesë së biznesit (pitching). Startup-et u trajnuan për të përmirësuar prezantimin e idesë së tyre të biznesit për të qenë konkurues në evente të ndryshme, ku do t’u duhej të merrnin pjesë e të garonin me qëllim zgjerimin e aktivitetit të tyre. Moduli i trajnimit ishte i ndarë në disa pjesë: Bazat e “Pitching”; Shembuj të tij; Shpjegimi i kornizës së Pitching; Si të ndërtojmë “script”-in e “Pitching”.

 • Gusht

Gjatë muajit gusht u realizua Workshop-i mbi shitjet, i cili u mbajt nga eksperti Fil Guijarro. Fil Guijarro është ekspert i njohur në konsulencën që u ofron kompanive dixhitale, veçanërisht në shitje, e këto njohuri i ndau edhe me 25 Startup-et e përzgjedhur gjatë fazës së parë. Moduli i trajnimit ishte i ndarë në 3 pjesë, që kishin në fokus mbulimin e fushave të ndryshme lidhur me procesin e shitjeve, si: Metodologjitë; Dokumentimi; Targetimi i klientëve; Procesi i shitjeve etj.

 • Tetor

Në tetor u zhvillua workshopi “Start-up Fundraising: Masterclass Modules 2020”. Workshopi zgjati 4 ditë: 3 prej tyre përfshinë trajnime dhe 1 ditë mentorim “one on one” me Barbara Fischer. Ekspertja Barbara Fischer është sipërmarrëse me përvojë në themelimin, rritjen dhe shitjen e kompanive. Skuadrat pjesëmarrëse mësuan se sa i rëndësishëm është dokumentimi i të dhënave, ndërtimi i një dokumenti prezantues përpara investitorëve, si edhe u njohën me praktikat më të mira se si t’iu afrohen investitorëve dhe të terheqin vëmendjen e tyre.

✓ Faza 3 – Eventi i Pitching

Pas trajnimeve dhe workshope-ve të shumta të shpërndara gjatë këtij viti të kaluar të programit “Roadmap to Silicon Valley”, më 30 mars 2021 ishte dita finale e një rrugëtimi fantastik, i cili kulmoi me një Demo Day. Ishte manifesti i gjithçkaje që startup-et përfaqësuan që prej fillmit të zhvillimit të programit: formimi i ekipit, krijimi i kompanisë dhe objektivat e para.

Në fund të fazës së dytë u evidentuan 12 Startup-et, që ishin më tepër aktive gjatë Workshop-eve të realizuara. Gjatë Pitching Day, i moderuar nga Znj. Blerina Guga, CEO e JAA Acting, përfaqësuesit e startup-eve prezantuan përpara investitoreve dhe jurise ecurinë e projekteve të tyre dhe paraqitjen e: plan-biznesit, studimit të tregut, strategjisë së marketingut, zgjidhjeve teknologjike të përdorura për krijimin e produktit, etj.

Juria ishte e përbërë nga ekspertët më të mirë të fushës dhe njerëz të suksesshëm në fushën e startup-eve dhe sipërmarrjeve të reja: Znj. Mirlinda Karçanaj, Drejtore e AKSHI; Z. Dorin Rama, CEO i Crimson Finance Fund; Z. Igor Madzov, SwissEP Investment Facilitator WB; Znj. Irene Dorsman, CEO e Angel Forum Vancouver; Z. Kushtrim Xhakli, Drejtor i Connected Inventions; Z. Max Gurvits, shef i Vitosha Partners & Ventures; Director – Z. Praveen Varshney, Drejtor i Varshney Capital Corp dhe Z. Kieth Ippel, CEO i Spring.

Në fund të procesit, juria dhe investitorët patën mundësi të komunikonin me 9 Startup-et më të mira edhe me potencial më premtues në botën e biznesit (3 nga grupet e përzgjedhura munguan gjatë ditës finale), që avancuan në fazën finale të programit “Roadmap to Silicon Valley”. Në këtë fazë disa prej startup-eve shprehen interes dhe lidhën ura komunikimi për bashkëpunim të mëtejshëm me Z. Kushtrim Xhakli.

✓ Faza 4: Vizita në Silicon Valley

“Roadmap to Silicon Valley” mbërriti në etapën e fundit, kur gjashtë startup-e shqiptare për një javë patën mundësi të ishin pjesë e ekosistemit më të madh dhe të rëndësishëm në botë në Kaliforni të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Startup-et morën pjesë edhe në ekspo #TECHSPO Silicon Valley 2022 si edhe në Konferencën e marketingut dixhital “Digimarcon”, ku shqyrtuan mundësitë optimale për të zgjeruar rrjetet profesionale, pasi u prezantuan me investitorë të ndryshëm. Grupi fitues i garës së nisur prej dhjetorit të vitit 2019 ia doli të ishte pjesë e destinacionit më cool në botë për profesionistët e teknologjisë.