24 Prill 2019
Në ambientet e TechSpace u zhvillua këtë të mërkurë një sesion informues i Microsoft, mbi teknologjitë e transformimit digjital, duke u fokusuar kryesisht në inovacionet e viteve të fundit të përqafuara nga biznesi, të cilat kanë sjellë një hov të madh cilësor në historinë e njerëzimit dhe rrjedhimisht e kanë çuar realitetin në një nivel krejt të ri, totatisht të paimagjinueshëm vetëm një dekadë më parë. Nën mentorimin e Aleksandër Stojkoviç, një prej arkitektëve digjitale më në zë të Microsoft, kompanisë globale, e cila në Shqipëri ka një bashkëpunim konkret me AKSHI-n; pasi mbi teknologji të Microsoft është ngritur dhe vepron Platforma Qeveritare e Ndërveprimit; sesioni u prit me mjaft interes nga dhjetëra të rinj të fushës TIK. Fillimisht Stojkoviç prezantoi një video futuriste të vitit 2015, për inovacionin që do të bëhej realitet në vitet pasaardhëse, por mjaft impresionues është fakti se gjysma e atyre planeve inovatore tashmë janë konkretizuar. “Brenda 10 viteve të ardhshme, në aspektin e zhvillimit digjital, do të bëhet më shumë se ç’është bërë në 250 vitet e fundit”, tha Stojkovic, duke i ftuar të rinjtë që të thellohen në këtë shifër, sa tronditëse, aq edhe fantastike për zhvillimin teknologjik në mbarë botën. Në epokën digjitale, – vijoi Stojkoviç, – nuk vlen më shprehja: “Peshku i madh e ha të voglin”, po në vend të saj është “Peshku i shpejtë e ha peshkun e ngadaltë”, duke lënë të kuptohet se inovacioni, zhvillimi teknologjik duhet dhe po ecën me ritme galopante dhe se çdo fushë e veprimtarisë, duke nisur nga biznesi, shëndetësia, mësimdhënia, industria po bazohet dhe fokusohet tek inovacioni. Me këtë rast, mentori i Microsoft, vlerësoi Shqipërinë për arritjet konkrete për digjitalizimin e shërbimeve publike. Gjatë sesionit informues u dhanë me dhjetëra shembuj inovatorë në dobi të biznesit, të cilëve teknologjia u ka ardhur në ndihmë për të përqafuar një lloj krejt të re qasjeje dhe i ka formuar për të identifikuar hapësira te reja të mundësive të pashfrytëzuara, duke zhvilluar më tej eksperiencën njerëzore e transformuar biznesin me strategji dhe teknologji sfiduese, të cilat kanë synim kryesor të ndryshojnë pozitivisht shoqërinë tonë.Sesionet informuese nga Microsoft do të vijojnë edhe përgjatë muajit maj ndërkohë që të pranishmit u inkurajuan të përzgjedhin temat me më shumë interes për ta përmes aplikacionit Kaizala.