18 Shkurt 2019

Mëso, guxo, krijo! Rama: Shpërblim për më të mirët.Nën slloganin ‘Mëso, guxo, krijo!’, ‘TechSpace’, shtëpia më e re e teknologjisë në Shqipëri, mblodhi në ditën e parë të veprimtarisë së vet me dhjetëra të rinj, të reja, përfaqësues të startup-eve, studentë dhe ekspertë vendas dhe të huaj të TIK-ut. .Në prani të Kryeministrit Z. Edi Rama, ministrit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Z. Eduart Shalsi, Znj. Mirlinda Karçanaj, drejtore e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, institucion i cili menaxhon dhe administron ‘TechSpace’, drejtorit të Përgjithshëm të ‘Vodafone Albania’, Z. Achilleas Kanaris deklanit të Fakultetit të Shkencave të Natyrës, Prof. Dr. Spiro Drushku dhe dekanit të Fakultetit të Teknologjisë dhe Informacionit, Prof. Asoc. Vladi Koliçi, nisi zyrtarisht funksionimi i këtij labi, që do të jetë hapësira e edukimit për teknologjinë, inovacionin dhe dëshirën e sipërmarrjes. . “Ky është një moment i rëndësishëm i sinergjisë që ne duam të krijojmë mes qeverisë dhe universiteteve dhe shkollave. Këtu, në këtë hapësirë ne dëshirojmë që studentët e universiteteve të fushës, por edhe të gjithë nxënësit e shkollave profesionale që janë të lidhur me teknologjinë, të kenë shtëpinë e tyre dhe të krijohet një hapësirë ballafaqimi të ideve, sfidash të reja, konkurrence mes njëri-tjetrit”, u shpreh kryeministri Rama. .Kreu i qeverisë theksoi se prioritet mbetet dixhitalizimi i marrëdhënieve me publikun dhe shembull shumë i mirë për këtë proces është e-Albania, përmes së cilës kryhen pagesa dhe aplikime, si dhe përfitohen dokumente me vlerë ligjore dhe platforma e bashkëqeverisjes. .Z. Rama dha një lajm për të gjithë të rinjtë që do të bëhen pjesë e ‘TechSpace’ me projektet e tyre inovatore, se në harkun kohor të një viti pune, 10 më të mirët do të shpërblehen me një vizitë në një destinacion fantastik për ambiciozët e fushës TIK, siç është Silicon Valley. Gjithashtu, Z. Rama bëri me dije se është në fazën fillestare të konceptimit, organizimi i një festivali çmimesh, i cili do të ketë në qendër stimulin financiar. Kryeministri theksoi edhe ndërmarrjen e një programi të veçantë të AKSHI-t për të stimuluar financiarisht projektet më interesante. .Kreu i qeverisë u bëri me dije të rinjve, se nëse ata do të sjellin ide dhe projekte tërheqëse do të mund të përfitojnë financiarisht nga një kompani e rëndësishme e telefonise mobile, siç është ‘Vodafone Albania’ . Drejtori i ‘Vodafone Albania’, Z. Kanaris, në një koment të shkurtër gjatë eventit u shpreh se kompania e telefonisë po punon me një numër universitetesh dhe shumë biznese të reja në rang global duke i financuar në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, me qëllim jo vetëm promovimin e kompanisë në arenën globale, por edhe për shoqëritë në të cilat vepron ‘Vodafone’. “Unë besoj se iniciativa si kjo e sotmja do ta ndihmojnë Shqipërinë të ecë në drejtimin e një shoqërie të avancuar dixhitale. Çdo vit, ‘Vodafone’ financon 5 projekte novatore nga e gjithë bota, të cilat marrin më pas financim. Shpresoj që një prej këtyre projekteve të jetë nga Shqipëria”, u shpreh Z. Kanaris. Më herët, drejtoresha e AKSHI-t, Znj. Karçanaj zhvilloi edhe një tur prezantues të të gjithë ambienteve të ‘TechSpace’, duke evidentuar këndet e posaçme për startup-et e reja, ato më të maturuara, hapësirat ku do të kryhen trajnime falas, hapësirat të dedikuara për mentorime, këndet e argëtimit, këndet e bashkëveprimit dhe organizimeve mes të rinjve që do jenë pjesë e labit, etj. “Në ambientet ‘TechSpace’ do të organizohen dhe promovohen startup-e, do të mbështeten nga ana e infrastrukturës dhe logjistikës të gjithë të rinjtë e interesuar që duan ndihmë, si dhe do të organizohen në mënyrë të pandërprerë trajnime falas, asistencë, mentorime dhe udhëzime për pjesëtarët e labit”, u shpreh znj. Karçanaj. Gjatë turit prezantues, kreu i AKSHI-t, promovoi edhe risinë e fundit të Agjencisë që drejton, pikërisht ‘opendata.gov.al’, portali i cili mundëson të dhëna të hapura në fushat e shëndetësisë, thesarit, buxhetit, doganave, arsimit, biznesit dhe shumë me gjerë. “Portali ‘Open Data’ ofron transparencë, por mbi të gjitha do të shërbejë si një burim të dhënash të hapura jo vetëm për publikun e gjerë, por edhe për start up-et apo studentët”, u shpreh kreu i drejtuesja e AKSHI-t. Në fund të eventit, ministri Shalsi, dy dekanët e fakulteteve dhe znj. Karçanaj, nënshkruan marrëveshjen e bashkëpunimit dhe ndërveprimit mes institucioneve respektive.