10 Prill 2019

Në ambientet e #TechSpace u zhvillua sot një sesion informues i ministrit të Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, z. Eduard Shalsi dhe drejtueses së Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, znj. Mirlinda Karçanaj, me të rinj të apasionuar pas fushës TIK dhe me startup-e që po synojnë krijimin e produkteve inovatore. AKSHI, aktualisht po mbledh nevojat konkrete të përdoruesve të #TechSpace për trajnime përmes një aplikacioni interaktiv per komunikim, sikurse është “Microsoft Kaizala”. Znj. Karçanaj inkurajoi të rinjtë që të plotësojnë formularin me udhëzimet e nevojshme, në mënyrë që të bëhen pjesë e trajnimeve që do zhvillojmë në javët në vijim. Nga ana e tij, ministri Shalsi bëri me dije një iniciativë shumë interesante nga Bashkimi Europian e konceptuar si “EU for inovation” që do të mbështesë të rinjtë e apasionuar pas TIK. “Qeveria do të krijojë hapësirat komunikuese, – u shpreh z.Shalsi, – për të prezantuar këtë iniciativë për të rinjtë shqiptare”. Shumë shpejt do të publikohet edhe axhenda e trajnimeve të larmishme që do të zhvillohen në #TechSpace, ndërsa e gjithë veprimtaria është pa asnjë kosto financiare në ngarkim të frekuentuesve të labit. AKSHI është në fazën e konsolidimit të ideve për zhvillimin e një konkursi që do të ketë në qendër stimulin financiar për inovatorët e rinj më të suksesshëm.